
…Zoti i Madh dha një indikacion shumë të fuqishëm për njeriun që të jetë i durueshëm, i qetë dhe i matur në jetë, tha: “Shpërblimi i njerëzve që do të fitojnë Xhenetin është pa hesap.” Sepse njerëzit që do të futen në Xhenet kanë bërë diçka dhe gjëja më e rëndësishme që kanë bërë njerëzit që futen në Xhenet është durimi i tyre dhe durimi i tyre shpërblehet pa hesap, pa llogari. Për këtë arsye edhe agjërimi është prej adhurimeve që nuk i është përmendur shpërblimi, sepse në fund të fundit agjërim do të thotë të vetëpërmbahesh dhe durimi është vetëpërmbajtje, pra ta mbash veten tënde nga dëshira për të ngrënë, nga dëshira për të pirë, nga dëshira për të kryer marrëdhënie seksuale me bashkëshorten; të gjitha këto lloj vetëpërmbajtjesh kanë nevojë për një durim shumë të madh. Për këtë arsye sabri dhe agjërimi janë të barabartë me njëri-tjetrin, me kuptimin që e kanë shpërblimin jashtë mase të madh tek Zoti. Prandaj thotë Zoti i Madh: “Agjërimi është i Imi dhe Unë di si të shpërblej për të.” Pastaj Zoti e arsyetoi pse: “Robi Im la gjithçka për hir Tim.” Pra, njeriu po del nga natyra e tij që është të hajë, të pijë dhe të bëjë jetë normale dhe gjitha këto po i bën për hir të Zotit. Çfarë e mban njeriun? Është pikërisht kjo forcë, kjo energji që quhet sabër dhe durim, prandaj dhe shpërblimi është shumë i madh, për këtë arsye thotë Zoti i shpërblej pa hesap, pa llogari. Për këtë arsye në disa transmetime thotë: “Shpërblimi i njerëzve të durueshëm Zoti do të mbushi me duart e Tij shpërblimet e tyre.” Llogarit se çfarë shpërblimi ka përgatit Allahu për njerëzit e durueshëm.
Dr. Imam Ahmed Kalaja